1Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!
2Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,
3duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.
4Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.
5Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet.
6Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.
7Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,
8sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.
9Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,
10dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.
11Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.
12Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.
13Askush kur tundohet të mos thotë: ''Jam tunduar nga Perëndinë'', sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.
14Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.
15Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.
16Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;
17çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.
18Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.
19Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,
20sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.
21Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
22Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.
23Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;
24ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.
25Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.
26Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.
27Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.