1Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: "Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?".
2Jonathani iu përgjegj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".
3Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".
4Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".
5Davidi iu përgjegj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.
6Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t'i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".
7Në qoftë se thotë: "Mirë", shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.
8Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".
9Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".
10Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".
11Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.
12Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,
13Zoti le t'i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!
14Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".
15Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".
16Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t'u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".
17Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.
18Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.
19Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.
20Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.
21Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shtigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.
22Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje", atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.
23Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë".
24Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë.
25Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh.
26Megjithatë Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse mendonte: "Do t'i ketë ndodhur diçka; nuk do të jetë i pastër; me siguri ai nuk është i pastër".
27Por të nesërmen, ditën e dytë të hënës së re, vendi i Davidit ishte akoma bosh. Atëherë Sauli i tha Jonathanit, birit të tij: "Pse biri i Isait nuk erdhi për të ngrënë as dje, as sot?".
28Jonathani iu përgjegj Saulit: "Davidi më kërkoi me insistim ta lë të shkojë në Betlem;
29dhe tha: "Të lutem lermë të shkoj, sepse kemi në qytet një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lermë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi". Për këtë arësye nuk erdhi në tryezën e mbretit".
30Atëherë zemërimi i Saulit u ndez kundër Jonathanit dhe i tha: "O bir i çoroditur dhe rebel, vallë nuk e di unë që ti mban anën e birit të Isait, për turpin tënd dhe për turpin e lakuriqësisë të nënës sate?
31Sepse për deri sa biri i Isait do të jetojë mbi tokë, nuk do të ketë qëndrueshmëri as për ty, as për mbretërinë tënde. Prandaj dërgo ta marrin dhe sille tek unë, sepse ai duhet të vdesë.
32Jonathani iu përgjegj Saulit, atit të tij duke i thënë: "Pse duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?".
33Atëherë Sauli e vërtiti ushtën kundër tij për ta vrarë. Jonathani e kuptoi që vrasja e Davidit ishte diçka e vendosur nga ana e të atit.
34Kështu Jonathani u ngrit i zemëruar nga tryeza dhe nuk hëngri gjë as ditën e dytë të hënës së re, mbasi ishte i hidhëruar për Davidin, sepse i ati e kishte trajtuar në mënyrë të turpshme.
35Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh.
36Ai i tha djaloshit: "Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj". Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij.
37Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: "Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?".
38Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: "Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!". Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti.
39Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja.
40Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: "Nisu, çoji në qytet".
41Me t'u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër.
42Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.