1Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t'i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.
2Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
7Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjer jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
8Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.
9Armiku thoshte: "Do t'i ndjek, do t'i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t'i shfarosë".
10Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.
11Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?
12Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.
13Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë.
14Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës.
15Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen.
16Frika dhe tmerri do të bierë mbi ta. Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, deri sa populli yt, o Zot, të kalojë, deri sa të kalojë populli që ti ke blerë.
17Ti do t'i futësh dhe do t'i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.
18Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë".
19Pasi kuajt e Faraonit me qerret e tij dhe kalorësit e tij kishin hyrë në det, dhe Zoti kishte kthyer mbi ta ujërat e detit, por bijtë e Izraelit kishin ecur në mes të detit, në të thatë.
20Atëherë profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle.
21Dhe Miriami u këndonte atyre: "Këndojini Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës".
22Pastaj Moisiu i nisi Izraelitët nga Deti i Kuq dhe këta u drejtuan nga shkretëtira e Shurit; ecën tri ditë në shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë.
23Kur arritën në Mara nuk mundën të pinë ujërat e Marës sepse ishin të hidhura; prandaj ky vend u quajt Mara.
24Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: "Ç'do të pimë?".
25Kështu ai i bërtiti Zotit; dhe Zoti i tregoi një dru; ai e hodhi atë në ujë, dhe ujërat u bënë të ëmbla. Atje Zoti i dha popullit një ligj dhe një dekret, dhe e vuri kështu popullin në provë,
26dhe tha: "Në qoftë se ti dëgjon me vëmëndje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë Egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron".
27Kështu arritën në Elim, ku kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe e ngritën kampin e tyre pranë ujërave.