1Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.
2Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.
3Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.
4Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.
5Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.
6Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;
7dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë,
8duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.
9Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.
10Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,
11dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t'i zbatojnë në praktikë.
12Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.
13Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;
14nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjërë; nga plaftorma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjërë.
15Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.
16Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjërë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.
17Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjërë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".
18Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar olokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.
19Priftërinjtë levitikë që vjnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer", thotë Zoti, Zoti, "ti do t'u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.
20Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.
21Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.
22Ditën e dytë do të ofrosh si flijim për mëkatin një cjap pa të meta dhe me të do të pastrohet altari siç u pastrua me demin e ri.
23Me të përfunduar pastrimin e tij, do të ofrosh një dem të ri pa të meta dhe një dash të kopesë pa të meta.
24Do t'i paraqesësh përpara Zotit, dhe priftërinjtë do të hedhin mbi ta kripë dhe do t'ia ofrojnë si olokaust Zotit.
25Shtatë ditë do të ofrosh një cjap si flijim për mëkatin; do të ofrosh gjithashtu një dem të ri dhe një dash të kopesë, të dy pa të meta.
26Shtatë ditë do të bëhet shlyerja për altarin, do të pastrohet dhe do të shenjtërohet.
27Me të mbaruar këto ditë, nga dita e tetë e tutje priftërinjtë do të ofrojnë mbi altar olokaustet tuaja dhe flijimet tuaja të falenderimit, dhe unë do t'ju pëlqej", thotë Zoti, Zoti.