1Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin.
2Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti", Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij.
3Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m'u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi
4dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t'u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë".
5Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.
6Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre.
7Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi".
8Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?".
9Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M'i afro dhe unë do t'i bekoj".
10Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi.
11Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu".
12Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë.
13Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij.
14Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri.
15Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot,
16Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t'i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!".
17Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit.
18Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij".
19Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh".
20Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit.
21Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t'ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.
22Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".