1Kjo qe pjesa që i ra me short fisit të Manasit, sepse ai ishte i parëlinduri i Jozefit, Maikirit, të parëlindurit të Manasit dhe atë i Galaadit, iu caktua Galaadi dhe Bashani, sepse ishte luftëtar.
2Ju dha me short gjithashtu një pjesë bijve të tjerë të Manasit, simbas familjeve të tyre: bijve të Abiezerit, bijve të Helekut, bijve të Asrielit, bijve të Heferit, bijve të Shemidit. Këta ishin fëmijët meshkuj të Manasit, birit të Jozefit, simbas familjeve të tyre.
3Tselofehadi, bir i Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, nuk pati djem, por vetëm vajza, të cilat quheshin Mahlah, Noah, Higlah, Milkah dhe Tirtsah.
4Ato u paraqitën para priftit Eleazar, para Jozueut, birit të Nunit, dhe para princave, duke thënë: "Zoti urdhëroi Moisiun që të na japë një trashëgimi në mes të vëllezërve tanë". Dhe Jozueu u dha një trashëgimi në mes të vëllezërve të atit të tyre, simbas urdhrit të Zotit.
5Kështu i ranë dhjetë pjesë Manasit, përveç vendit të Galaadit dhe të Bashanit që ndodheshin matanë Jordanit;
6në fakt bijat e Manasit morën një trashëgimi në mes të bijve të tij, dhe vendi i Galaadit iu caktua bijve të tjerë të Manasit.
7Kufiri i Manasit shtrihej nga Asheri në Mikmethsah, që ndodheshin përballë Sikemit, pastaj kthente nga e djathta në drejtim të banorëve të En-Tapuahut.
8Vendi i Tapuahut i përkiste Manasit; por Tapuahu në kufi të Manasit ishte pronë e bijve të Efraimit.
9Pastaj kufiri zbriste në përruan Kanah, në jug të përroit; këto qytete që ishin pronë e Efraimit ngriheshin në mes të qyteteve të Manasit; por kufiri i Manasit ndodhej në krahun verior të përroit dhe mbaronte në det.
10Territori në jug i përkiste Efraimit, kurse ai në veri ishte pronë e Manasit, dhe deti ishte kufiri i tyre; në veri kufizoheshin me Asherin dhe në lindje me Isakarin.
11Përveç kësaj, në territorin e Isakarit dhe në atë të Asherit Manasi zotëronte: Beth-Shean me fshatrat e tij, Ibleam me fshatrat e tij, banorët e Dorit me fshatrat e tij, banorët e En-Dorit me fshatrat e tij, banorët e Tanaakut me fshatrat e tij, banorët e Megidos me fshatrat e tij, tri krahina kodrinore.
12Por bijtë e Manasit nuk mundën t'i pushtojnë ato qytete, sepse Kananejtë ishin të vendosur të rrinin në atë vend.
13Por bijtë e Izraelit u bënë të fortë, nënshtruan Kananejtë dhe i robëruan, por nuk i dëbuan krejt.
14Atëherë bijtë e Jozefit i folën Jozueut dhe i thanë: "Pse na dhe si trashëgimi vetëm një pjesë, vetëm një hise, kur ne jemi një popull i madh që Zoti e ka bekuar deri sot?".
15Jozueu u tha atyre: "Në rast se jeni një popull i madh në numër, shkoni në pyll dhe hapni tokë të re që të keni tokë në vendin e Perezejve dhe të gjigantëve, sepse krahina malore e Efraimit është tepër e paktë për ju".
16Por bijtë e Jozefit iu përgjigjën: "Krahina malore nuk na mjafton; dhe të gjithë Kananejtë që banojnë në krahinën fushore kanë qerre të hekurta, si ata që janë në Beth-Shean dhe në fshatrat e tij, ashtu dhe ata që banojnë në luginën e Jizreelit".
17Atëherë Jozueu i foli shtëpisë së Jozefit, Efraimit dhe Manasit, dhe tha: "Ti je një popull i madh në numër dhe ke një forcë të madhe; nuk do të kesh vetëm një pjesë,
18por edhe krahina malore do të jetë jotja; ndonëse është pyll, ti do ta shpyllëzosh dhe do të jetë jotja deri në skajet e tij më të largëta, sepse ti do t'i dëbosh Kananejtë megjithëse kanë qerre të hekurta dhe janë të fortë".