1Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zotit i dha në duart e Madianit shtatë vjet me radhë.
2Dora e Madianit u bë e fortë kundër Izraelit; nga frika e Madianitëve, bijtë e Izraelit bënë shpella në male, si dhe guva dhe fortesa.
3Kur Izraeli mbaronte së mbjelluri, Madianitët bashkë me Amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij,
4e ngrinin kampin e tyre kundër Izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë.
5Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar.
6Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Madianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.
7Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Madianit,
8Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë;
9ju çlirova nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre,
10dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e Amorejve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën".
11Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, Abiezeritit, ndërsa biri tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga Madianitët.
12Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!".
13Gedeoni iu përgjegj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Madianit".
14Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Madianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?".
15Ai iu përgjegj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim".
16Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur Madianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".
17Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.
18Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".
19Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.
20Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçët pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu.
21Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçët pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçet pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij.
22Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!".
23Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!".
24Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e Abiezeritëve.
25Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qendron afër;
26pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi simbas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si olokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".
27Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.
28Kur të nesërmen në mëngjes njerëzit e qytetit u ngritën, panë që altari i Baalit ishte shembur, që Asherahu që ndodhej pranë tij ishte rrëzuar dhe që demi i dytë ishte ofruar si olokaust mbi altarin që ishte ndërtuar.
29Dhe i thanë njeri tjetrit: "Kush e bëri këtë?". Kur pastaj u informuan dhe pyetën, atyre u thanë: "Gedeoni, bir i Joashit, e bëri këtë".
30Atëherë njerëzit e qytetit i thanë Joashit: "Nxirr jashtë birin tënd dhe të dënohet me vdekje se ka shembur altarin e Baalit dhe ka rrëzuar Asherahun që ndodhej pranë tij".
31Joashi iu përgjegj të gjithë atyre që ishin ngritur kundër tij: "Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit ose ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është zoti, le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij".
32Prandaj atë ditë Gedeoni u mbiquajt Jerubaal, sepse u tha: "Le të jetë Baali që të luftojë kundër tij, sepse ai ia ka shembur atij altarin".
33Tërë Madianitët, Amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jizreelit.
34Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe Abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas.
35Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t'i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët.
36Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,
37ja, unë do të vë një gëzof me lesh te lëmi: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu si ke thënë".
38Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen në mëngjes Gedeoni u ngrit herët, shtrydhi gëzofin dhe prej tij doli një kupë plot me ujë.
39Por Gedeoni i tha akoma Perëndisë: Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje; unë do të flas edhe një herë. Më lër ta bëj provën edhe një herë tjetër vetëm. Le të mbetet i thatë vetëm gëzofi dhe të ketë vesë mbi të gjithë vendin rreth e qark".
40Dhe Perëndia veproi ashtu atë natë; vetëm gëzofi mbeti i thatë, dhe pati vesë mbi të gjithë tokën rreth e qark.