1Ja, po vjen dita e Zotit; plaçka jote e luftës do të ndahet në mes teje.
2Unë do t'i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti.
3Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës.
4Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.
5Atëherë ju do të ikni nëpër luginën e maleve të mi, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Atsal; po, do të ikni ashtu si keni ikur përpara tërmetit gjatë ditëve të Uziahut, mbretit të Judës; kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty.
6Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.
7Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.
8Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.
9Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.
10Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë, nga Geba në Rimon, në jug të Jeruzalemit; dhe Jeruzalemi do të lartohet dhe do të banohet në vendin e vet, nga porta e Beniaminit, në vend të portës së parë, deri te porta e Qoshes, dhe nga kulla e Hananeelit deri te torkujt e mbretit.
11Njerëzit do të banojnë dhe asgjë më nuk do të jetë caktuar për t'u shfarosur, por Jeruzalemi do të qëndrojë i sigurt.
12Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt që kanë luftuar kundër Jeruzalemit: ai do të bëjë që mishi i tyre të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre.
13Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe; secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.
14Vetë Juda do të luftojë kundër Jeruzalemit, dhe pasuria e të gjitha kombeve përreth do të mblidhet tok: ar, argjend dhe rroba në sasi të madhe.
15Plagë e ngjashme me tjetrën do të jetë plaga që do të godasë kuajt, mushkat, devetë, gomerët dhe të gjitha kafshët që do të ndodhen në ato fushime.
16Dhe do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jeruzalemit do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar festën e Kasolleve.
17Dhe do të ndodhë që, në qoftë se ndonjë familje e dheut nuk do të shkojë në Jeruzalem për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, kurrfarë shiu nuk do të bjerë mbi to.
18Në qoftë se familja e Egjiptit nuk do të dalë dhe nuk do të vijë, as mbi të nuk do të bjerë shi, por do të bjerë e njëjta plagë me të cilën Zoti do të godasë kombet që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.
19Ky do të jetë ndëshkimi i Egjiptit, dhe ndëshkimi i të gjitha kombeve që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.
20Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: "SHENJTÉRIM ZOTIT". Tenxheret në shtëpinë e Zotit do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit.
21Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t'i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t'i marrin për të gatuar mishrat. Atë ditë në shtëpinë e Zotit nuk do të ketë më asnjë tregtar.