1Kur të gjithë mbretërit e Amorejve që ndodheshin matanë Jordanit në drejtim të perëndimit dhe tërë mbretërit e Kananejve që ishin pranë detit mësuan që Zoti kishte tharë ujërat e Jordanit para bijve
2Në atë kohë Zoti i tha Jozueut: "Bëj thika prej guri dhe fillo përsëri të rrethpresësh bijtë e Izraelit".
3Kështu Jozueu bëri thika prej guri dhe rrethpreu bijtë e Izraelit mbi kodrinën e Haaralothit.
4Kjo qe arsyeja për të cilin Jozueu i rrethpreu; i tërë populli që kishte dalë nga Egjipti, meshkujt, tërë burrat luftëtarë, kishin vdekur në shkretëtirë gjatë rrugës, mbasi kishin dalë nga Egjipti.
5Ndërsa tërë populli që kishte dalë nga Egjipti ishte rrethprerë, tërë populli që kishte lindir në shkretëtirë gjatë rrugës mbas daljes nga Egjipti, nuk ishte rrethprerë.
6Në fakt bijtë e Izraelit kishin ecur dyzet vjet nëpër shkretëtirë deri sa tërë populli, domethënë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, u shkatërruan, sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit. Atyre Zoti u ishte betuar që nuk do t'u tregonte vendin që do t'u jepte etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.
7Kështu Jozueu i rrethpreu bijtë e tyre, që Perëndia i kishte vënë në vend të tyre, sepse ishin të parrethprerë, sepse nuk ishin rrethprerë gjatë rrugës.
8Kur mbaroi rrethprerja e tërë meshkujve, ata qëndruan atje ku ishin, në kamp, deri sa u shëruan.
9Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit", dhe ai vend u quajt Gilgal deri në ditët e sotme.
10Bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos.
11Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë.
12Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.
13Por ndodhi që, ndërsa Jozueu ishte afër Jerikos, ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri i qëndronte përpara, me në dorë një shpatë të zhveshur. Jozueu i doli përballë dhe i tha: "A je ti për ne o për armiqtë tanë?".
14Ai u përgjigj: "Jo, unë jam kreu i ushtrisë së Zotit; sapo kam arritur në këtë çast". Atëherë Jozueu ra përmbys para tij dhe tha: "Çfarë dëshiron t'i thotë Zotëria ime shërbëtorit të tij?".
15Kreu i ushtrisë së Zotit i tha Jozueut: "Zbath sandalet, sepse vendi ku je është i shenjtë". Dhe Jozueu veproi ashtu.