1Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; po në këtë kohë fisi i Danitëve kërkonte për vete një territor për t'u vendosur, sepse deri në ato ditë nuk i ishte caktuar asnjë trashëgimi midis fiseve të Izraelit.
2Bijtë e Danit dërguan, pra, te Tsorahu dhe te Eshtaoli pesë burra trima, që përfaqësonin tërë fisin e tyre, për të vëzhguar dhe për të kontrolluar vendin; dhe u thanë atyre: "Shkoni të vëzhgoni vendin!". Kështu ata arritën në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, dhe e kaluan natën aty.
3Ndërsa ishin pranë shtëpisë së Mikahut, njohën zërin e të riut Levit; atëherë ata hynë në shtëpi dhe e pyetën: "Kush të solli këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë ke ti këtu?".
4Ai iu përgjegj: "Mikahu më ka bërë këtë dhe atë; më mori në shërbim të tij dhe unë jam prifti i tij".
5Atëherë ata i thanë: "Pyet, pra, Perëndinë që të dimë në se rruga që kemi nisur do të jetë e mbarë".
6Prifti iu përgjegj: "Shkoni në paqe; rruga që bëni kryhet nën shikimin e Zotit".
7Kështu të pesë burrat u nisën dhe arritën në Laish, panë që populli që banonte aty bënte një jetë të sigurt, simbas zakoneve të atyre të Sidonit, një jetë të qetë dhe të sigurt, sepse nuk kishte njeri
8Pastaj u kthyen te vëllezërit e tyre në Tsorah dhe në Eshtaol; dhe vëllezërit i pyetën ata: "Çfarë thoni?".
9Ata u përgjigjën: "Le të ngrihemi dhe të sulemi kundër atyre njerëzve, sepse kemi parë vendin dhe është me të vërtetë i mrekullueshëm. Pse mbani një qëndrim jo aktiv? Mos nguroni të lëvizni për ta pushtuar vendin!
10Kur të arrini, keni për të gjetur një popull të sigurt dhe një vend të gjërë, sepse Perëndiae ka dhënë në duart tuaja; është një vend ku nuk mungon asgjë nga ajo që është mbi tokë".
11Atëherë gjashtëqind burra të familjes së Danitëve u nisën nga Tsorahu dhe nga Eshtoali, të armatosur mirë për luftë.
12Ata u ngjitën dhe ngritën kampin e tyre në Kirjath-Jearim, në Jude; (prandaj ky vend, që ndodhet prapa Kiriath-Jearimit, quhet edhe sot e kësaj dite kampi i Danit).
13Që këtej kaluan në krahinën malore të Efraimit dhe arritën në shtëpinë e Mikahut.
14Atëherë të pesë burrat, që kishin shkuar të vëzhgonin vendin e Laishit, filluan t'u thonë vëllezërve të tyre: "A e dini ju që në këto shtëpi ka një efod, një shtëpi idhujsh, një shëmbëlltyrë të gdhendur
15Kështu ata u drejtuan nga ajo anë, arritën në shtëpinë e Levitit të ri, në banesën e Mikahut, dhe e përshëndetën.
16Ndërsa të gjashtëqind burrat e bijve të Danit, të armatosur mirë për luftë, rrinin para portës,
17pesë burrat që kishin vajtur të vëzhgonin vendin u ngjitën lart, hynë në shtëpi, morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë. Prifti rrinte para portës bashkë me gjashtëqind njerëzit e armatosur mirë për luftë.
18Kur këta hynë në shtëpinë e Mikahut dhe morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë, prifti u tha atyre: "Ç'po bëni kështu?".
19Ata iu përgjegjën: "Hesht, vëre dorën mbi gojë, eja me ne, dhe do të jesh për ne një atë dhe një prift. Ç'është më mirë për ty, të jesh prifti i shtëpisë së një njeriu të vetëm apo të jesh prifti i një fisi ose të një familjeje në Izrael?".
20Kështu prifti ndjeu një gëzim në zemrën e tij; mori efodin, shtëpinë e idhujve dhe shëmbëlltyrën e gdhendur dhe u bashkua me ata njerëz.
21Atëherë rifilluan marshimin, duke vënë para fëmijët, bagëtinë dhe orenditë.
22Kur ishin larguar nga shtëpia e Mikahut, burrat që banonin në shtëpitë afër asaj të Mikahut u mblodhën dhe ndoqën bijtë e Danit.
23U bërtitën pastaj bijve të Danit. Këta u kthyen dhe i thanë Mikahut: "Çfarë ke që ke mbledhur këta njerëz?".
24Ai u përgjegj: "Morët me vete perënditë që i kisha bërë unë dhe priftin, dhe ikët. Tani ç'më mbetet? Si mund të më thoni: "Çfarë ke?".
25Bijtë e Danit i thanë: "Bëj që zëri yt të mos dëgjohet më prapa nesh, sepse njerëz të zemëruar mund të hidhen mbi ju, dhe ti do të humbje jetën tënde dhe atë të familjes sate!".
26Bijtë e Danit e vazhduan rrugën e tyre; dhe Mikahu, kur pa se ata ishin më të fortë se ai, u kthye dhe shkoi në shtëpinë e tij.
27Kështu ata, mbasi morën gjërat që kishte bërë Mikahu dhe priftin që kishte në shërbim të tij, arritën në Laish, ku jetonte një popull që rinte i qetë dhe i sigurtë; e vranë me shpatë dhe i vunë flakën qytetit.
28Nuk pati asnjë që ta çlironte, sepse ndodhej larg Sidonit, dhe banorët e tij nuk mbanin marrëdhënie me njerëz të tjerë. Ai ndodhej në luginën që zgjatej në drejtim të Beth-Rehobit. Pastaj Danitët e rindërtuan qytetin dhe banuan në të,
29e quajtën Dan, nga emri i Danit, ati i tyre, që ishte bir i Izraelit; por më parë qyteti quhej Laish.
30Pastaj bijtë e Danit ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur; dhe Jonathani, bir i Gershomit, bir i Manasit, dhe bijtë e tij u bënë priftërinj të fiseve të Danitëve deri ditën e robërimit të banorëve të vendit.
31Kështu ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur nga Mikahu, gjatë gjithë kohës që shtëpia e Perëndisë mbeti në Shiloh.