1Burrat e Efraimit i thanë Gedeonit: "Pse je sjellë në këtë mënyrë me ne, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër Madianit?". Dhe patën një grindje të ashpër me të.
2Ai iu përgjegj atyre: "Por çfarë kam bërë unë kundër jush? Qëmtimi i Efraimit nuk vlen vallë më tepër se sjellja e Abiezerit?
3Perëndia ju dha në dorë princat e Madianit, Orebin dhe Zeebin; çfarë mund të bëja për ju?". Kur tha këto fjalë, zemërimi i tyre kundër tij u fashit.
4Gedeoni arriti pastaj në Jordan dhe e kaloi atë me të treqind burrat që ishin me të; megjthëse të lodhur ata vazhdonin ta ndiqnin armikun.
5Atyre të Sukothit u tha: "Ju lutem, u jepni bukë njerëzve që më vijnë pas, sepse janë të lodhur, dhe unë jam duke ndjekur Zebahun dhe Tsalmunain, mbretër të Madianit".
6Por krerët e Sukothit u përgjegjën: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t'i japim bukë ushtrisë tënde?".
7Atëherë Gedeoni tha: "Për këtë, kur Zoti të më japë në dorë Zebahun dhe Tsalmunain, do të copëtoj trupin tuaj me gjembat dhe me ferrat e shkretëtirës.
8Që andej shkoi në Penuel dhe u foli në të njëjtën mënyrë banorëve të tij; burrat e Penuelit iu përgjigjën në të njëjtën mënyrë si ata të Sukothit.
9Kështu ai u foli edhe burrave të Penuelit, duke u thënë: "Kur të kthehem në paqe, do të rrëzoj këtë kala".
10Zebahu dhe Tsalmunai ndodheshin në Karkor me gjithë ushtrinë e tyre prej rreth pesëmbëdhjetë mijë burrash, ajo që mbetej nga tërë ushtria e bijve të lindjes, sepse njëqind e njëzet mijë njerëz që mbanin shpatë i kishin vrarë.
11Gedeoni shkoi nëpër rrugët e atyre që banonin në çadra, në lindje të Nobahut dhe të Jogbehahut, dhe mundi ushtrinë që e pandehte veten në siguri.
12Dhe Zebahu dhe Tsalmunai ikën me vrap; por ai i ndoqi dhe i zuri të dy mbretërit e Madianit, Zebahun dhe Tsalmunain, dhe e shpartalloi tërë ushtrinë.
13Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, u kthye në fushën e betejës nëpër të përpjetën e Heresit.
14Kapi një të ri nga njerëzit e Sukothit dhe e mori në pyetje, dhe ky i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukothit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra.
15Pastaj shkoi te njerëzit e Sukothit dhe tha: "Ja, Zebahu dhe Tsalmunai, në lidhje me të cilët jeni tallur me mua, duke thënë: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t'u japim bukë njerëzve të tu të lodhur?"".
16Mori pastaj pleqtë e qytetit dhe me gjembat dhe ferrat e shkretëtirës u dha një mësim burrave të Sukothit.
17Rrëzoi gjithashtu kalanë e Penuelit dhe vrau njerëzit e qytetit.
18Pastaj u tha Zebahut dhe Tsalmunait: "Si ishin njerëzit që keni vrarë në Tabor?". Ata u përgjigjën: "Ishin si ti; secili prej tyre kishte pamjen e birit të një mbreti".
19Ai vazhdoi: "Ishin vëllezërit e mi, bij të nënes sime; ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, po të mos i kishit vrarë, unë nuk do t'ju vrisja!".
20Pastaj i tha Jetherit, birit të tij të parë: "Çohu dhe vriti!". Por i riu nuk e nxori shpatën, sepse kishte frikë, ishte ende i ri.
21Atëherë Zebahu dhe Tsalmunai thanë: "Çohu ti vetë dhe na godit, sepse si të jetë burri ashtu është edhe forca e tij". Kështu Gedeoni u ngrit dhe vrau Zebahun dhe Tsalmunain, dhe shtiu në dorë gjysmëhënat që devetë e tyre mbanin në qafë.
22Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Madianit".
23Por Gedeoni u përgjegj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".
24Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t'ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin Ismaelitë.
25Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.
26Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Madianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.
27Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.
28Kështu Madiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.
29Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.
30Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijet e tij, sepse pati shumë gra.
31Por konkubina e tij që banonte në Sikem, i lindi edhe ajo një djalë, të cilit i vuri emrin Abimelek.
32Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe u varros në varrin e Joashit, të atit të tij, në Ofrah të Abiezeritëve.
33Pas vdekjes së Gedeonit, bijtë e Izraelit filluan përsëri të kurvërohen përpara Baalit dhe zgjodhën Baal-Berithin si zot të tyre.
34Bijtë e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin,
35dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gedeonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.