1Në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë, një fjalë iu njoftua Danielit, që quhej Beltshatsar. Kjo fjalë është e vërtetë dhe konflikti i gjatë. Ai e kuptoi fjalën dhe e mori vesh vegimin.
2Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.
3Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.
4Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,
5ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.
6Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.
7Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.
8Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.
9Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.
10Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.
11Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.
12Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.
13Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.
14Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t'i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme".
15Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.
16Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: "Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m'u ligështuan.
17Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?".
18Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,
19dhe tha: "O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua". Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë".
20Pastaj më tha: "A e di përse kam ardhur këtu pranë teje? Tani do të kthehem të luftoj kundër princit të Persisë; dhe kur të dal, ja, do të vijë princi i Javanit.
21Por unë do të të bëj të njohur atë që është shkruar në librin e së vërtetës; dhe nuk ka njeri që të sillet trimërisht me mua kundër tyre përveç Mikaelit, princit tuaj".