1Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.
2Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
3Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.
4Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,
5sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;
6kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".
7Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
8Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;
9duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!
10Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;
11dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.
12Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".
13Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.
14Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?
15Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t'ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t'ju çlirojë nga duart e mia?
16Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.
17Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.
18Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".
19Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.
20Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.
21Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.
22Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.
23Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.
24Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t'u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".
25Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".
26Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.
27Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.
28Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata
29Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t'i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".
30Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.