1"Kur Zoti, Perëndia yt, të ketë shfarosur kombet e vendeve që të jep dhe ti t'i kesh dëbuar dhe të banosh në qytetet dhe shtëpitë e tyre,
2do të veçosh tri qytete, në mes të vendit, që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.
3Do të përgatisësh rrugë dhe do ta ndash në tri pjesë vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, me qëllim që çdo vrasës të mund të strehohet në të.
4Dhe ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë.
5Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën;
6sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij.
7Prandaj të urdhëroj në këtë mënyrë: "Veço tri qytete".
8Në rast se më pas Zoti, Perëndia yt, zgjeron kufijtë e tu, ashtu si u është betuar etërve të tu dhe ta jep tërë vendin që u kishte premtuar t'ua jepte etërve të tu,
9në rast se ti respekton këto urdhra që unë të jap sot, duke e dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe duke ecur gjithnjë në rrugët e tij, atëherë do t'u shtosh tri qytete të tjera tri të parave,
10me qëllim që të mos derdhet gjak i pafajshëm në mes të vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi dhe ti të mos bëhesh fajtor për vrasje.
11Por në rast se një njeri urren të afërmin e tij, i zë pritë, e sulmon dhe e plagos për vdekje, dhe pastaj strehohet në një nga këto qytete,
12pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë ta marrin që andej dhe do t'ia dorëzojnë hakmarrësit të gjakut që të vritet.
13Syri yt nuk do të ketë mëshirë për të, por do t'i heqësh Izraelit fajin që ka derdhur gjak të pafajshëm, dhe kështu do të kesh mbarësi.
14Nuk do të lëvizësh kufijtë e të afërmit tënd, të vendosura nga pasardhësit në trashëgiminë që do të gëzosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep në zotërim.
15Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të akuzuar dikë për çfarëdo krimi apo mëkati të kryer; fakti do të përcaktohet me deponimin e dy ose tre dëshmitarëve.
16Në rast se kundër dikujt ngrihet një dëshmitar i rremë dhe e akuzon për një krim,
17atëherë dy njerëzit midis të cilëve zhvillohet mosmarrëveshja do të paraqiten përpara Zotit, përpara priftërinjve dhe gjykatësve në funksion ato ditë.
18Gjykatësi do ta hetojë me kujdes çështjen; dhe në rast se del që ai dëshmitar është një dëshmitar i rremë, që ka deponuar gënjeshtra kundër vëllait,
19atëherë do t'i bëni atij atë që kishte ndër mënd t'i bënte vëllait të tij. Kështu do ta shkulni të keqen nga mesi juaj.
20Të tjerët do ta mësojnë dhe do të trëmben, dhe qysh atëherë nuk do të kryhet më në mes tuaj një veprim aq i keq.
21Syri yt nuk do të ketë mëshirë, por do t'i përmbahet rregullit jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë".