1"Në mbarim të çdo shtatë viteve do të bësh faljen e borxheve.
2Dhe kjo do të jetë forma e faljes: Çdo huadhënës do të falë atë që i ka dhënë hua të afërmit të tij; nuk do të kërkojë kthimin e saj nga i afërmi dhe nga vëllai i tij, sepse është shpallur falja e borxheve nga Zoti.
3Mund ta kërkosh borxhin nga i huaji; por do t'i falësh vëllait tënd atë që ai të ka marrë hua.
4Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush, sepse Zoti do të të bekojë me të madhe në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep si trashgimi, që ti ta zotërosh,
5por vetëm me kusht që ti t'i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha këta urdhërimet, që sot të cakton.
6Sepse Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë siç të ka premtuar; atëherë do t'u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua; do të sundosh mbi shumë kombe, por ato nuk do të sundojnë mbi ty.
7Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar;
8por do t'i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t'i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.
9Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër", dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.
10Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora.
11Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".
12Në rast se një vëlla apo një motër hebre shitet te ti, do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do ta lësh të ikë i lirë.
13Dhe kur do ta lësh të ikë i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh;
14do t'i japësh bujarisht dhurata nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjestar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur;
15dhe nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar; prandaj sot të urdhëroj këtë.
16Por në rast se ai të thotë: "Nuk dua të largohem prej teje", sepse të do ty dhe shtëpinë tënde, sepse ka mbarësi bashkë me ty,
17atëherë do të marrësh një fëndyell, do t'i shposh veshin kundër portës dhe ai do të jetë skllavi yt për gjithnjë. Po ashtu do të veprosh me skllaven tënde.
18Nuk duhet të të duket e vështirë ta nisësh të lirë, sepse të ka shërbyer gjashtë vjet me gjysmën e pagës së një argati; dhe Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua.
19Do t'i shenjtërosh Zotit, Perëndisë tënd, tërë pjelljet e para meshkuj të bagëtive të tua të trasha dhe të imta. Nuk do të bësh asnjë punë me pjelljen e parë të lopës sate dhe nuk do të qethësh pjelljen e parë të deles sate.
20Do t'i hash çdo vit, ti dhe familja jote, përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur.
21Por në qoftë se kafsha ka ndonjë të metë, në rast se është e çalë, e verbër, apo ka ndonjë të metë tjetër të rëndë, nuk do t'ia flijosh Zotit, Perëndisë tënd;
22do ta hash brenda portave të tua; të papastrin dhe të pastrin mund ta hanë njëlloj sikur të ishte një gazelë apo një dre.
23Por nuk do të hash gjakun e tyre; do ta derdhësh në tokë si uji".