1Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.
2Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.
3Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,
4sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.
5Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: ''Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre''.
6Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: ''Mos thuaj në zemrën tënde: ''Kush do të ngjitet në qiell?''. Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.
7Ose: ''Kush do të zbresë në humnerë?''. Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.
8Po ç'thotë, pra? ''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;
9sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.
10Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,
11sepse Shkrimi thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''.
12Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.
13Në fakt: ''Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''.
14Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s'ka kush predikon?
15Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!''.
16Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ''O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?''.
17Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.
18Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, ''Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës''.
19Por unë them: ''Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: ''Unë do t'ju shtie në xhelozi me një komb që s'është fare komb; do t'ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë''.
20Dhe Isaia me guxim thotë: ''Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua''.
21Por lidhur me Izraelin ai thotë: ''Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës''.