1Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.
2Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.
3Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.
4Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.
5Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t'u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.
6Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: ''Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë''.
7Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjtur me sinagogën.
8Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.
9Një natë Zoti i tha Palit në vegim: ''Mos druaj, por fol dhe mos pusho,
10sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet''.
11Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.
12Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, Judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,
13duke thënë: ''Ky ua mbush mendjen njerëzve t'i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin''.
14Dhe kur Pali donte të hapte gojën, Galioni u tha Judenjve: ''Po të qe puna për ndonjë padrejtësi ose keqbërje, o Judenj, do t'ju dëgjoja me durim, sipas arsyes;
15por nëse janë çështje për fjalë, për emra dhe ligjin tuaj, shikojeni ju vetë, sepse unë nuk dua të jem gjykatës i këtyre gjërave''.
16Dhe i përzuri ata nga gjykata.
17Atëherë të gjithë Grekët zunë Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës. Por Galioni nuk donte t'ia dinte fare për këto gjëra.
18Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn.
19Dhe, kur arriti në Efes, i la aty, po vetë hyri në sinagogë dhe filloi të diskutojë me Judenjtë.
20Ata iu lutën të rrinte me ta më gjatë, por ai nuk pranoi;
21por u nda prej tyre duke thënë: ''Më duhet gjithsesi ta kaloj festën e ardhshme në Jeruzalem, por, në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju''. Dhe u nis nga Efesi nëpër det.
22Si zbarkoi në Cezari, u ngjit në Jeruzalem, dhe si u përshëndet me kishën, zbriti në Antioki.
23Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.
24Por një Jude, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.
25Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.
26Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.
27Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.
28Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.