1Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.
2Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.
3Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.
4Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.
5Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.
6Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.
7Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,
8sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,
9edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.
10Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.
11Gjithsesi në Zotin as burri s'është pa gruan, as gruaja pa burrin,
12sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.
13Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa u mbuluar?
14Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?
15Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.
16Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s'kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.
17Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen.
18Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj.
19Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar.
20Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,
21sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.
22A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.
23Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën
24dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
25Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim''.
26Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.
27Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.
28Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,
29sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.
30Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.
31Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.
32Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.
33Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin.
34Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t'i rregulloj.