1Njerëzit e Efraimit u mblodhën, kaluan në Tsafon dhe i thanë Jefteut: "Pse shkove të luftosh kundër bijve të Amonit dhe nuk na thirre të vinin bashkë me ty? Ne do t'i vëmë zjarrin shtëpisë sate bashkë me ty brenda".
2Jefteu iu përgjegj atyre: "Unë dhe populli im kemi pasur një grindje të madhe me bijtë e Amonit; dhe kur ju kërkova ndihmë nuk më liruat nga duart e tyre.
3Kështu, duke parë se nuk më vinit në ndihmë, vura në rrezik jetën time dhe marshova kundër bijve të Amonit, dhe Zoti m'i dha në duart e mia. Pse, pra, jeni ngritur sot kundër meje për të më luftuar?".
4Pastaj Jefteu mblodhi tërë njerëzit e Galaadit dhe u ndesh me Efraimin; dhe njerëzit e Galaadit e mundën Efraimin, sepse këta thonin: "Ju Galaaditët jeni ikanakë të Efraimit në mes të Efraimit dhe në mes të Manasit!".
5Njerëzit e Galaadit zunë vatë e Jordanit para se të arrinin ata të Efraimit; kështu kur ndonje nga ikanakët e Efraimit thoshte: "M lini të kaloj", njerëzit e Galaadit e pyesnin: "A je ti një Efraimit?". Në rast se ai përgjigjej: "Jo", Galaaditët i thonin:
6"Atëherë thuaj Shiboleth; në rast se ai thoshte "Shiboleth", sepse nuk mund ta shqiptonte si duhet, e kapnin dhe e vrisnin pranë vaut të Jordanit. Në atë kohë u vranë në këtë mënyrë dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit.
7Jefteu ushtroi funksionin e gjyqtarit gjashtë vjet me radhë. Pastaj Jefteu, Galaaditi, vdiq dhe u varros në një nga qytetet e Galaadit.
8Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Ibtsani nga Betlemi.
9Ai pati tridhjetë bij; martoi tridhjetë bijat e tij dhe solli nga jashtë tridhjetë vajza për bijtë e tij. Qe gjyqtar i Izraelit shtatë vjet me radhë.
10Pastaj Ibtsani vdiq dhe u varros në Betlem.
11Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Eloni, Zabulonit; qe gjyqtar i Izraelit dhjetë vjet me radhë.
12Pastaj Eloni, Zabulonit, vdiq dhe e varrosën në Ajalon, në vendin e Zabulonit.
13Mbas tij qe gjyqtar i Izraelit Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti.
14Ai pati dyzet bij dhe tridhjetë nipa, që u hipnin shtatëdhjetë gomarëve të vegjël. Ai qe gjyqtar i Izraelit tetë vjet me radhë.
15Pastaj Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti, vdiq dhe e varrosën në Pirathon, në vendin e Efraimit, në krahinën malore të Amalekut.