1Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi.
2Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?".
3Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t'i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre.
4Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta,
5bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji;
6ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët.
7Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem.
8Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji.
9Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua.
10Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë.
11Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t'i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.
12Atëherë u ktheva të rrah me mend diturinë, marrëzinë dhe budallallëkun. "Çfarë do të bëjë njeriu që do të zërë vendin e mbretit, në mos atë që është bërë?".
13Pastaj kuptova që dituria ka një epërsi mbi budallallëkun, ashtu si drita ka një epërsi mbi errësirën.
14I urti i ka sytë në kokë, kurse budallai ecën në errësirë; por kuptova gjithashtu që të dyve u është rezervuar i njëjti fat.
15Kështu thashë në zemrën time: "Po ai fat që i takon budallait më takon edhe mua". Ç'përfitim ke se ke qenë më i urtë?". Prandaj thashë në zemrën time: "Edhe kjo është kotësi".
16Nuk mbetet në fakt asnjë kujtim jetëgjatë si i njeriut të urtë ashtu edhe i njeriut budalla, sepse në ditët e ardhme gjithçka do të harrohet. Dhe ashtu si vdes budallai, në të njëjtën mënyrë vdes i urti.
17Prandaj fillova të urrej jetën, sepse të gjitha ato që bëhen nën diell më janë bërë të neveritshme, sepse të gjitha janë kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
18Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t'i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje.
19Dhe kush e di në se do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi.
20Kështu arrita të dëshpërohem në zemrën time për gjithë mundin që kam bërë nën diell.
21Sepse këtu ka një njeri që ka punuar me dituri, me zgjuarësi dhe me sukses, por që duhet t'ia lërë trashëgiminë e tij një tjetri, që nuk është munduar fare! Edhe kjo është një kotësi dhe një e keqe e madhe.
22Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell?
23Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi.
24Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë.
25Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë?
26Sepse Perëndia i jep njeriut që i pëlqen dituri, njohje dhe gëzim; por mëkatarit i ngarkon detyrën të mbledhë dhe të grumbullojë, për t'ia lënë pastaj të gjitha atij që pëlqehet nga sytë e Perëndisë. Edhe kjo është kotësi dhe përpjekje për të kapur erën.