1Sa arriti muaji i shtatë dhe bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre, populli u mblodh si një njeri i vetëm në Jeruzalem.
2Atëherë Jeshua, bir i Jotsadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe me Zorobabelin, birin e Shealtielit me gjithë vëllezërit e tij, u ngritën dhe ndërtuan altarin e Perëndisë të Izraelit, për t'i ofruar olokauste, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
3E rivendosën altarin mbi themelet e tij, megjithëse kishin frikë nga popujt e tokave të afërta, dhe mbi të i ofruan olokauste Zotit, olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
4Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë olokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë.
5Pastaj ofruan olokaustin e përjetshëm, olokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit.
6Nga dita e parë e muajit të shtatë filluan t'i ofrojnë olokauste Zotit, por themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende.
7Pastaj u dhanë para gurëgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe vaj atyre të Sidonit dhe të Tiros që të sillnin dru kedri nga Libani në bazë të koncesionit që kishte marrë Kiri, mbret i Persisë.
8Në muajin e dytë të vitit të dytë të arritjes së tyre në shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem, Zorobabeli, bir i Shealtielit, Jeshua, bir i Jotsadakut, vëllezërit e tjerë të tyre priftërinj dhe Levitët
9Atëherë Jeshua me bijtë e tij dhe vëllezërit e tij, Kadmieli me bijtë e tij dhe bijtë e Judës u ngritën si një njeri i vetëm për të drejtuar ata që punonin në shtëpinë e Perëndisë; po kështu vepruan bijtë e Henadadit me bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, Levitët.
10Kur ndërtuesit hodhën themelet e tempullit të Zotit, ishin të pranishëm priftërinjtë të veshur me rrobat e tyre dhe me bori dhe Levitët, bijtë e Asafit, me cembale për të lëvduar Zotin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit.
11Ata këndonin, kremtonin dhe lëvdonin Zotin, "Sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij ndaj Izraelit është e përjetshme". Tërë populli lëshonte britma të forta gëzimi, duke lëvduar Zotin, sepse ishin hedhur themelet e shtëpisë së Zotit.
12Shumë priftërinj, Levitët dhe krerë të shtëpive atërore, pleq, që kishin parë tempullin e parë, qanin me zë të lartë kur hidheshin themelet e këtij tempulli para syve të tyre. Shumë të tjerë përkundrazi bërtisnin fort nga gëzimi,
13kështu që njerëzit nuk mund të dallonin zhurmën e britmave të gëzimit nga ajo e vajit të popullit, sepse populli lëshonte britma të forta, dhe zhurma e tyre dëgjohej nga larg.