1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin,
2ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë?
3Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar?
4Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje?
5Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre.
6Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel.
7Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.
8I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre.
9E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij.
10Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin.
11Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij.
12Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin.
13Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak.
14Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç'murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?