1Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.
2Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.
3Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.
4Elihu kishte pritur për t'i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.
5Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.
6Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t'ju parashtroj mendimin tim.
7Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t'u mësojë diturinë".
8Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.
9Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.
10Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
11Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.
12Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.
13Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".
14Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t'i përgjigjem me fjalët tuaja.
15Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.
16Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.
17Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
18Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.
19Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.
20Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.
21Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;
22sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".