1"Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia!
2Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time.
3Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra.
4Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë.
5Në rast se mundesh, m'u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua.
6Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili.
7Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty.
8Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin:
9"Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë.
10Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij;
11i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia".
12Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu.
13Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij?
14Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re:
15në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre.
16Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën,
17për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia,
18për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata.
19Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,
20aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.
21Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;
22kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.
23Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij.
24Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".
25Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.
26Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.
27Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.
28Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".
29Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,
30për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.
31Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.
32Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.
33Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë".