1"Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.
2Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
3Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë,
4unë do t'ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre.
5Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj.
6Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t'ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj.
7Ju do t'i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.
8Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.
9Unë do të kthehem nga ju, do t'ju bëj pjellorë dhe do t'ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju.
10Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t'i bërë vend prodhimit të ri.
11Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t'ju përzë.
12Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.
13Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart.
14Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia,
15në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time,
16edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj.
17Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t'ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t'ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.
18Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t'ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.
19Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër.
20Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre.
21Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t'ju godas shtatë herë më tepër me plagë, simbas mëkateve tuaja.
22Do të dërgoj kundër jush bishat e fushës, që do të rrëmbejnë fëmijët tuaj, do të shfarosin bagëtinë tuaj, do t'ju pakësojnë shumë dhe do t'i bëjnë të shkreta rrugët tuaja.
23Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj
24silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t'ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.
25Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut.
26Kur do t'ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni.
27Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi,
28edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t'ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja.
29Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja.
30Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujtë tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej.
31Do t'i katandis qytetet tuaja në shkretëtira, do të shkretoj vendet tuaja të shenjta dhe nuk do të thith më erën e këndshme të parfumeve tuaja.
32Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur.
33Do t'ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara.
34Atëherë toka do të gëzojë të shtunat e saj për gjithë kohën që do të jetë e shkretuar dhe ju do të jeni në vendin e armiqve tuaj; kështu toka do të pushojë dhe do të gëzojë të shtunat e saj.
35Për gjithë kohën që do të mbetet e shkretuar do të gëzojë pushimin që nuk pati në të shtunat tuaja, kur banonit në të.
36Atyre prej jush që do të shpëtojnë do t'u kall në zemër tmerrin në vendin e armiqve të tyre; fërfërima e një gjethi që lëviz do t'i bëjë që t'ua mbathin këmbëve; do të turren ashtu siç iket përpara shpatës dhe do të bien pa i ndjekur askush.
37Do të përplasen njëri me tjetrin, ashtu si përpara shpatës, pa i ndjekur askush; dhe nuk do të mund të qëndroni përpara armiqve tuaj.
38Do të shuheni midis kombeve dhe vendi i armiqve tuaj do t'ju gëlltisë.
39Ata prej jush që do të mbijetojnë do të përgjërohen për shkak të paudhësisë së tyre në vendin e armiqve; edhe do të përgjërohen gjithashtu për shkak të paudhësisë së etërve të tyre.
40Por në se do të pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre në shkeljet që kanë kryer kundër meje dhe gjithashtu sepse janë sjellë si armiq të mi,
41sa që më kanë shtyrë të bëhem armik i tyre dhe t'i çoj në vendin e armiqve të tyre; në rast se zemra e tyre e parrethprerë do të përulet dhe do të pranojë ndëshkimin e paudhësisë së tyre,
42atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Jakobin, do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin dhe do të kujtohem për vendin;
43sepse vendi do të braktiset prej tyre dhe do të gëzojë të shtunat e tij, ndërsa do të jetë i shkretuar pa ta; kështu ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre për faktin se kanë përçmuar dekretet e mia dhe kanë kundërshtuar statutet e mia.
44Megjithatë kur do të ndodhen në vendin e armiqve të tyre, unë nuk do t'i përçmoj dhe nuk do t'i urrej aq sa t'i asgjësoj krejt dhe të prish besëlidhjen time që kam lidhur me ta; unë jam Zoti, Perëndia i tyre;
45por për dashuri ndaj tyre do të kujtohem për besëlidhjen e lidhur me stërgjyshërit e tyre, që i nxora nga vendi i Egjiptit para syve të kombeve për të qënë Perëndia i tyre. Unë jam Zoti".
46Këto janë statutet, dekretet dhe ligjet që Zoti vendosi midis tij dhe bijve të Izraelit, mbi malin Sinai me anë të Moisiut.