1Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Davidi dërgoi Joabin me shërbëtorët e tij dhe me tërë Izraelin për të shkatërruar vendin e bijve të Amonit dhe për të rrethuar Rabahun; por Davidi mbeti në Jeruzalem.
2Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në taracën e pallatit mbretëror. Nga taraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur.
3Kështu Davidi dërgoi të kërkojë informata për gruan; dhe i thanë: "Éshtë Bath-Sheba, bija e Eliamit, bashkëshortja e Hiteut Uriah".
4Davidi dërgoi lajmëtarë për ta marrë; kështu ajo erdhi tek ai dhe ajo ra në shtrat me të; pastaj u pastrua nga papastërtia e saj dhe u kthye në shtëpinë e vet.
5Gruaja mbeti me barrë dhe ia njoftoi Davidit, duke i thënë: "Jam me barrë".
6Atëherë Davidi dërgoi t'i thotë Joabit: "Dërgomë Hiteun Uriah". Dhe Joabi dërgoi Uriahun te Davidi.
7Kur Uriahu arriti tek ai, Davidi e pyeti për gjendjen shëndetsore të Joabit dhe të popullit, dhe si shkonte lufta.
8Pastaj Davidi i tha Uriahut: "Zbrit në shtëpinë tënde dhe laji këmbët". Uriahu doli nga shtëpia e mbretit dhe i nisën një dhuratë nga ana e mbretit.
9Por Uriahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit bashkë me tërë shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.
10Kur e njoftuan Davidin për këtë gjë dhe i thanë: "Uriahu nuk zbriti në shtëpinë e tij". Davidi i tha Uriahut: "A nuk vjen vallë nga një udhëtim? Pse, pra, nuk zbrite në shtëpinë tënde?".
11Uriahu iu përgjigj Davidit: "Arka, Izraeli dhe Juda banojnë në çadra, zotëria im Joab dhe shërbëtorët e zotërisë tim e kanë ngritur kampin e tyre në fushë të hapur. Si mund të hyj unë në shtëpinë time për të ngrënë dhe për të pirë? Ashtu siç është e vërtetë që ti rron dhe që rron shpirti yt, unë nuk do ta bëj këtë gjë!".
12Atëherë Davidi i tha Uriahut: "Qëndro edhe sot këtu, nesër do të të lë të shkosh". Kështu Uriahu qëndroi në Jeruzalem atë ditë dhe ditën tjetër.
13Davidi e ftoi pastaj të hajë e të pijë bashkë me të dhe e dehu. Por në mbrëmje Uriahu doli për të shkuar në shtrojën e tij bashkë me shërbëtorët e zotërisë së tij dhe nuk zbriti në shtëpinë e tij.
14Të nesërmen në mëngjes, Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Uriahut.
15Në letër kishte shkruar kështu: "Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë".
16Ndërsa rrethonte qytetin, Joabi e vuri Uriahun në vendin ku e dinte se kishte njerëz trima.
17Banorët e qytetit bënë një dalje dhe sulmuan Joabin, disa nga shërbëtorët e Davidit ranë dhe vdiq edhe Hiteu Uriah.
18Atëherë Joabi dërgoi një lajmëtar për t'i njoftuar Davidit tërë ngjarjet e luftës,
19dhe i dha lajmëtarit këtë urdhër: "Kur të kesh mbaruar së treguari mbretit tërë ngjarjet e luftës,
20në qoftë se ai zemërohet dhe të thotë: "Pse iu afruat qytetit për të luftuar? A nuk e dinit që do të gjuanin nga muret lart?
21Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshethit? A nuk qe një grua që i hodhi një gur nga muret, dhe kështu ai vdiq në Thebets?. Sepse ju jeni afruar te murët?", atëherë ti do të thuash: "Vdiq edhe shërbëtori yt Hiteu Uriah"".
22Kështu lajmëtari u nis dhe, kur arriti, i tregoi Davidit të gjitha ato që Joabi e kishte ngarkuar të thoshte.
23Lajmëtari i tha Davidit: "Armiqtë patën epërsi mbi ne dhe bënë një dalje kundër nesh në fushë të hapur, por ne i sprapsëm deri në hyrjen e portës;
24atëherë harkëtarët gjuajtën mbi shërbëtorët e tu nga lartësia e mureve dhe disa shërbëtorë të mbretit vdiqën, dhe vdiq edhe shërbëtori yt, Hiteu Uriah".
25Atëherë Davidi i tha lajmëtarit: "Do t'i thuash kështu Joabit: "Mos u hidhëro për këtë gjë, sepse shpata ha o njerin o tjetrin; lufto me forcë më të madhe kundër qytetit dhe shkatërroje". Dhe ti jepi zemër".
26Kur gruaja e Uriahut dëgjoi që burri i saj kishte vdekur, ajo mbajti zi për bashkëshortin e saj.
27Me të mbaruar zija, Davidi dërgoi ta marrë dhe e priti në shtëpinë e tij. Ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit.