1Davidi kaloi në revistë njerëzit që ishin me të dhe caktoi mbi ta komandantë të mijëshëve dhe të qindshëve.
2Pastaj Davidi nisi përpara një të tretën e njerëzve të tij nën komandën e Joabit, një të tretën nën komandën e Abishait birit të Tserujahut, vëlla i Joabit, dhe një të tretën nën komandën e Itait të Gathit. Pastaj mbreti i tha popullit: "Dua të vij edhe unë me ju!".
3Por populli u përgjigj: "Ti nuk duhet të vish, sepse po të na vënë përpara, nuk do të na jepnin rëndësi; edhe po të vdiste gjysma jonë, nuk do të na jepnin rëndësi; por ti vlen sa dhjetë mijë nga ne; është më mirë të rrish gati të na ndihmosh nga qyteti".
4Mbreti iu përgjigj me këto fjalë: "Do të bëj atë që ju duket më mirë". Kështu mbreti mbeti pranë portës së qytetit, ndërsa tërë populli dilte në formacion nga njëqind dhe nga një mijë veta.
5Mbreti u dha këtë urdhër Joabit, Abishait dhe Itait: "Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!". Tërë populli e dëgjoi kur mbreti e dha këtë urdhër të gjithë komandantëve lidhur me Absalomin.
6Kështu ushtria doli në fushë kundër Izraelit dhe beteja u zhvillua në pyllin e Efraimit.
7Populli i Izraelit u mund atje nga shërbëtorët e Davidit; dhe në atë vend masakra qe e madhe; atë ditë ranë njëzet mijë njerëz.
8Beteja u shtri në të gjithë krahinën; dhe pylli gllabëroi më tepër njerëz nga sa kishte gllabëruar shpata.
9Pastaj Absalomi u ndesh me njerëzit e Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke, e cila u fut poshtë degëve të dendura të një lisi të madh dhe koka e Absalomit mbeti e kapur në lis, dhe ai mbeti
10Një njeri e pa këtë gjë dhe lajmëroi Joabin, duke thënë: "E pashë Absalomin të varur në një lis".
11Atëherë Joabi iu përgjigj njeriut që e kishte informuar: "Ja, ti e pe? Po pse nuk e shtrive menjëherë të vdekur në tokë? Unë do të të kisha dhënë dhjetë sikla argjendi dhe një brez".
12Por ai njeri i tha Joabit: "Edhe sikur të më jepnin në dorë një mijë sikla argjendi, unë nuk do ta shtrija dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e kemi dëgjuar urdhrin që mbreti të ka dhënë ty, Abishait dhe Itait, duke thënë: "Kini kujdes të mos i bëni asnjë të keqe të riut Absalom".
13Në fakt do të kisha vepruar në mënyrë jo të ndershme kundër vetë jetës sime, sepse asgjë nuk i mbahet e fshehur mbretit; edhe ti vetë do të ishe kundër meje".
14Atëherë Joabi tha: "Nuk dua të humb kohën me ty në këtë mënyrë". Kështu mori në dorë tri shtiza dhe i futi në zemrën e Absalomit, që ishte akoma gjallë në pjesën e dendur të lisit.
15Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën akoma dhe e mbaruan.
16Atëherë Joabi urdhëroi që ti binin borisë, populli nuk e ndoqi më Izraelin sepse nuk e lejoi Joabi.
17Pas kësaj e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe hodhën mbi të një sasi të madhe gurësh; pastaj tërë Izraelitët ikën, secili në çadrën e vet.
18Absalomi, sa qe gjallë, i kishte ngritur vetes një monumet në Luginën e Mbretit, sepse thoshte: "Unë nuk kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim". Kështu i dha emrin e tij këtij monumenti, që edhe sot quhet "monumenti i Absalomit".
19Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha Joabit: "Lermë të shkoj me vrap dhe t'i çoj mbretit lajmin që Zoti i siguroi drejtësi kundër armiqve të tij".
20Joabi iu përgjigj: "Ti nuk do ta çosh lajmin sot; do ta çosh një ditë tjetër; nuk do ta çosh lajmin sot, sepse biri i mbretit ka vdekur".
21Pastaj Joabi i tha Etiopasit: "Shko dhe tregoja mbretit atë që ke parë". Etiopasi u përul para Joabit dhe iku me vrap.
22Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha prapë Joabit: "Sido që të ndodhë, të lutem, më lejo të fugoj prapa Etiopasit". Joabi i tha: "Po pse dëshiron të fugosh, biri im? Sidoqoftë nuk do të kesh asnjë shpërblim për lajmin që çon".
23Dhe tjetri tha: "Sido që të ndodhë, dua të vrapoj". Joabi i tha: "Vrapo!". Atëherë Ahimatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi Etiopasin.
24Davidi ishte ulur midis dy profetëve; roja hipi në çatinë e portës pranë mureve; ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri vraponte krejt vetëm.
25Roja bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti tha: "Në rast se është vetëm, sjell lajme". Dhe ai po afrohej gjithnjë e më tepër.
26Pastaj roja pa një njeri tjetër që vraponte dhe i thirri rojes së portës: "Ja një tjetër njeri që vrapon vetëm!". Mbreti tha: "Edhe ky sjell lajme".
27Roja shtoi: "Mënyra e të vrapuarit të të parit më duket si ajo e Ahimatsit, e birit të Tsadokut!". Mbreti tha: "Éshtë një njeri i mirë dhe vjen me lajme të bukura".
28Ahimatsi i bërtiti mbretit dhe tha: "Paqe!". Pastaj u shtri përpara mbretit me fytyrën për tokë dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që ka lënë në pushtetin tënd njerëzit që kishin ngritur duart kundër mbretit, zotërisë tim!".
29Mbreti tha: "A është mirë i riu Absalom?". Ahimatsi u përgjigj: "Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua, shërbëtorin tënd, pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e di përse bëhej fjalë".
30Mbreti i tha: "Kthehu dhe qëndro këtu". Dhe ai u kthye dhe mbeti aty.
31Pikërisht në atë çast arriti Etiopasi, i cili tha: "Lajme të mira, o mbret, o imzot. Zoti të ka siguruar sot drejtësi, duke të çliruar nga duart e të gjithë atyre që kishin ngritur krye kundër teje".
32Mbreti i tha Etiopasit: "A është mirë i riu Absalom?". Etiopasi u përgjigj: "Armiqtë e mbretit, zotërisë tim, dhe tërë ata që ngriheshin kundër teje për të të bërë të keqe qofshin si ai i ri!".
33Atëherë mbreti, duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: "O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!".