1Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: "Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës".
2Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: "Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhe bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj".
3Joabi iu përgjigj mbretit: "Zoti, Perëndia yt, ta shumëzojë popullin njëqind herë më tepër nga ç'është dhe sytë e mbretit, të zotërisë tim, të mund ta shohin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron një gjë të tillë?".
4Megjithatë urdhëri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit.
5Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në Aroer, në të djathtë të qytetit që ishte në mes të luginës së Gadit dhe në drejtim të Jezerit.
6Pastaj shkuan në Galaad dhe në vendin e Tahtim-Hodshit; pastaj vajtën në Dan-Jaan dhe në rrethinat e Sidonit.
7Shkuan edhe në kalanë e Tiros dhe në të gjitha qytetet e Hivejve dhe të Kananejve, dhe arritën në jug të Judës, deri në Beer-Sheba.
8Kështu përshkuan tërë vendin dhe mbas nëntë muajsh e njëzet ditë u kthyen përsëri në Jeruzalem.
9Joabi i dorëzoi mbretit shifrën e regjistrimit të popullsisë: kishte në Izrael tetëqind mijë njerëz të fortë, të aftë për të përdorur shpatën, por njerëzit e Judës ishin pesëqind mijë.
10Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë
11Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë:
12"Shko e i thuaj Davidit: Kështu thotë i Zoti: "Unë të propozoj tri gjëra; zgjidh njerën prej tyre dhe unë do ta bëj atë për ty"".
13Kështu Gadi shkoi te Davidi për t'i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "A do që të vijnë për ty shtatë vjet zi buke në vendin tënd, apo tre vjet arratisje përpara armiqve që të ndjekin, apo tri ditë murtaje në vendin tënd? Tani mendohu dhe shiko pak se çfarë përgjigje duhet t'i jap atij që më ka dërguar".
14Davidi i tha Gadit: "Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të bie edhe në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe, por mos rënça në duart e njerëzve!".
15Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga ai mëngjes deri në kohën e caktuar. Shtatëdhjetë mijë veta të popullit vdiqën nga Dani deri në Beer-Sheba.
16Ndërsa engjëlli e shtrinte dorën mbi Jeruzalem për ta shkatërruar, Zotit i erdhi keq për këtë fatkeqësi dhe i tha engjëllit që shfaroste popullin: "Mjaft! Tani tërhiqe dorën!". Engjëlli i Zoti ndodhej afër lëmit të Araunahut, Gebuseitit.
17Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: "Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç'kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!".
18Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: "Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, Gebuseitit".
19Kështu Davidi shkoi, simbas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti.
20Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë.
21Pastaj Araunau tha: "Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?". Davidi u përgjigj: "Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli".
22Araunahu i tha Davidit: "Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e olokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru.
23O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit". Pastaj Araunahu i tha mbretit: "Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!".
24Por mbreti iu përgjigj Araunahut: "Jo, unë do t'i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t'i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë". Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi.
25Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit.