2"Mos merr grua dhe mos ki bij e bija në këtë vend".
3Sepse kështu thotë Zoti për bijtë dhe bijat që kanë lindur në këtë vend dhe për nënat që i kanë pjellë dhe për etërit që i kanë zënë në këtë vend:
4"Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t'i lënë si pleh mbi faqen e dheut; do të shfarosen nga shpata dhe nga uria, dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës".
5Sepse kështu thotë Zoti: "Mos hyni në shtëpinë e zisë dhe mos shkoni për ngushëllime dhe për t'i vajtuar, sepse unë kam hequr nga ky popull paqen time, mirësinë time dhe mëshirën time", thotë Zoti.
6"Të mëdhenj dhe të vegjël do të vdesin në këtë vend; nuk do të varrosen as do të mbahet zia për ata, nuk do të bëhen prerje as qethje flokësh për ta.
7Nuk do të thyhet buka për ata që mbajnë zi për t'i ngushëlluar për një të vdekur dhe nuk do t'u jepet për të pirë gota e ngushëllimit për atin e tyre dhe nënën e tyre.
8Mos hyni as në një shtëpi banketi për t'u ulur bashkë me ta për të ngrënë dhe për të pirë".
9Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të bëj që të pushojë në këtë vend, para syve tuaj dhe në ditët tuaja, britma e gëzimit dhe britma e ngazëllimit, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses.
10Dhe ka për të ndodhur që kur t'i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?".
11Atëherë ti do t'u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur", thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim.
12Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë.
13Prandaj unë do t'ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t'u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t'ju fal".
14"Prandaj ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",
15por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t'i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.
16Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t'i peshkuar", thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t'i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve.
17Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi.
18Para së gjithash do t'i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme".
19O Zot, forca ime, kalaja ime dhe streha ime ditën e fatkeqësisë, te ti do të vijnë kombet nga skajet e tokës dhe do të thonë: "Etërit tanë kanë trashëguar vetëm gënjeshtra, kotësi dhe gjëra që nuk vlejnë asgjë".
20"A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?
21Prandaj ja, këtë radhë do t'u bëj të njohur atyre, do t'u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti".