2"Shko dhe bërtit në veshët e Jeruzalemit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate, dashurinë në kohën e fejesës sate, kur më ndiqje në shkretëtirë në një tokë të pa mbjellë.
3Izraeli i ishte shenjtëruar Zotit, prodhimet e para të korrjes së tij; tërë ata që i hanin bëheshin fajtorë dhe fatkeqësia binte mbi ta", thotë Zoti.
4Dëgjoni fjalën e Zotit, o shtëpi e Jakobit, dhe ju të gjitha familjet e shtëpisë së Izraelit.
5Kështu thotë Zoti: "Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t'u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t'u bërë ata vetë kotësi?
6As nuk kanë thënë: "Ku është Zoti që na nxori nga vendi i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër një vend të thatë dhe me gremina, në një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, nëpër një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?".
7Unë ju kam çuar në një vend pjellor që të hanit frytet e tij dhe të mirat e tij; por kur keni hyrë keni ndotur vendin tim dhe e keni bërë trashëgiminë time një gjë të neveritshme.
8Priftërinjtë nuk kanë thënë: "Ku është Zoti?", ata që meren me ligjin nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan për Baalin dhe shkuan pas gjërave që nuk vlejnë asgjë.
9Prandaj do t'ju padis akoma në gjyq", thotë Zoti, "dhe do t'u bëj gjyq bijve të bijve tuaj.
10Shkoni në ishujt e Kitimit dhe shikoni, dërgoni njerëz në Kedar dhe kqyrni mirë nëse ka ndodhur një gjë e tillë.
11A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.
12Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë", thotë Zoti.
13"Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.
14Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?
15Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.
16Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.
17Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?
18Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?
19Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë", thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
20"Sepse prej shumë kohe ke thyer zgjedhën tënde, ke prerë lidhjet e tua dhe ke thënë: "Nuk dua të shërbej më!". Por mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të gjelbër ti je shtrirë si një prostitutë.
21Megjithatë të kisha mbjellë si një vresht fisnik i tërë i cilësisë më të lartë; si ke ndryshuar, pra, ndaj meje në degë të degjeneruara vreshti të huaj?
22Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do të linte një njollë të pashlyeshme para meje", thotë Perëndia, Zoti.
23"Si mund të thuash: "Nuk jam e ndotur, nuk u kam vajtur pas Baalëve"? Shiko rrugën që ke përshkuar në luginë, prano atë që ke bërë, deve e shpejtë, që vrapon pa fre në rrugët e saj.
24Gomaricën e egër, që është mësuar në shkretëtirë, që merr frymë në afshin e dëshirës së saj; kush mund ta përmbajë në stinën e dashurisë? Të gjithë ata që e kërkojnë nuk duhet të lodhen: do ta gjejnë në muajin e vet.
25Pengo që këmba jote të mbetet zbathur dhe që të të thahet gryka. Por ti ke thënë: "Eshtë e kotë. Jo! Unë i dua të huajt dhe dëshiroj të shkoj pas tyre".
26Ashtu si mbetet i hutuar vjedhësi kur kapet në flagrancë, kështu janë të hutuar ata të shtëpisë së Izraelit, ata vetë, mbreti i tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre,
27të cilët i thonë drurit: "Ti je ati im" dhe gurit: "Ti na ke dhënë jetën". Po, ata më kanë kthyer kurrizin dhe jo fytyrën. Por në kohën e fatkeqësisë së tyre thonë: "Çohu dhe na shpëto!".
28Po ku janë perënditë e tua që ti ke sajuar? Le të ngrihen po qe se mund të të shpëtojnë në kohën e fatkeqësisë sate. Sepse të shumtë si qytetet e tua janë perënditë e tua, o Judë.
29Pse grindeni me mua? Ju të gjithë keni ngritur krye kundër meje", thotë Zoti.
30"Më kot i kam goditur bijtë tuaj; nuk e pranuan korrigjimin. Shpata juaj i ka përpirë profetët tuaj si një luan shkatërrimtar.
31O brezni, ki parasysh fjalën e Zotit! A kam qenë vallë një shkretëtirë për Izraelin ose një vend me errësirë të dendur? Sepse populli im thotë: "Ne endemi lirisht, nuk do të kthehemi më te ti"?
32A mund t'i harrojë një vajzë stolitë e saj ose një nuse brezin e saj? Megjithatë populli im më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh.
33Sa bukur di t'i përdorësh mënyrat e tua për të siguruar dashurinë! Kështu ua ke mësuar mënyrat e tua madje edhe grave të këqija.
34Bile edhe në cepat e rrobës sate gjendet gjaku i të pafajmëve të mjerë, që nuk u kapën duke bërë vjedhje me thyerje. Por me gjithë këto gjëra,
35ti thua: "Jam e pafaj; me siguri zemërimi i tij është tërhequr nga unë". Ja, unë do të hyj në gjyq me ty sepse ke thënë: "Nuk kam mëkatuar".
36Pse endesh poshtë e përpjetë, duke ndryshuar rrugën tënde? Do të mbetesh e zhgënjyer edhe nga Egjipti, ashtu siç u zhgënjeve nga Asiria.
37Edhe prej këtij do të dalësh me duart mbi kokë, sepse Zoti ka hedhur poshtë ata te të cilët ti ke besim, dhe ti nuk do të realizosh me anë të tyre qëllimet e tua.