1"Mëkati i Judës është shkruar me një stilo hekuri, është gërvishur me një majë diamanti mbi rrasën e zemrës së tyre dhe mbi brirët e altarëve tuaj.
2Edhe djemtë e tyre mbajnë mend altarët dhe Asherimët e tyre pranë drurëve të gjelbër mbi kodrat e larta.
3O mali im në ara, unë do t'ia braktis plaçkitjes pasuritë e tua, tërë thesaret e tu dhe vendet e tua të larta, për shkak të mëkatit që është i pranishëm në tërë territorin tënd.
4Kështu për fajin tënd do të humbasësh trashëgiminë që të kisha dhënë dhe do të bëj që t'u shërbesh armiqve të tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse keni ndezur një zjarr në zemërimin tim, që do të flakërojë gjithnjë".
5Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!
6Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.
7Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!
8Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.
9Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?
10Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t'i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.
11Kush fiton pasuri në mënyrë të padrejtë është si thëllëza që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë; në mes të ditëve të tij ka për t'i lënë dhe në fund do të gjendet i shushatur".
12Froni i lavdisë së shkëlqyer që në fillim është vendi i shenjtërores sonë.
13O Zot, shpresa e Izraelit, tërë ata që të braktisin do të turpërohen. "Ata që largohen nga unë do të jenë të shkruar në tokë, sepse e kanë braktisur Zotin, burimin e ujit të gjallë".
14Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.
15Ja, ata më thonë: "Ku është fjala e Zotit? Le të realizohet tani!"
16Megjithatë unë nuk refuzova të jem bariu i tyre duke të ndjekur ty, as dëshirova ditën e kobshme. Ti e di atë që doli nga goja ime, sepse bëhej në praninë tënde.
17Mos u bëj për mua një frikë; ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.
18Qofshin të turpëruar përndjekësit e mi, por mos qofsha unë i turpëruar; qofshin të turpëruar ata, por mos qofsha i turpëruar unë; sill mbi ta ditën e fatkeqësisë dhe shkatërroji me një shkatërrim të dyfishtë!
19Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,
20dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".
21Kështu thotë Zoti: "Kujdesuni për veten tuaj dhe mos mbartni asnjë peshë dhe mos e futni nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë.
22Mos mbartni asnjë peshë jashtë shtëpive tuaja dhe mos kryeni asnjë punë ditën e shtunë, por shenjtëroni ditën e shtunë, ashtu siç i kam urdhëruar etërit tuaj.
23Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.
24Kështu do të ndodhë që, në qoftë se do të dëgjoni me kujdes", thotë Zoti, "në rast se bëni që të mos hyjë asnjë peshë nëpër portat e këtij qyteti ditën e shtunë, por do ta shenjtëroni ditën e shtunë dhe nuk do të bëni asnjë punë gjatë asaj dite,
25atëherë mbretërit dhe princat që rrinë ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nga portat e këtij qyteti të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata, princat e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit; dhe ky qytet do të banohet përjetë.
26Do të vijnë pastaj nga qytetet e Judës, nga rrethinat e Jeruzalemit, nga vendi i Beniaminit, nga ultësira, nga malet dhe nga Negevi, duke sjellë olokauste, flijime, blatime ushqimore dhe temjan dhe duke ofruar flijime falënderimi në shtëpinë e Zotit.
27Por në rast se nuk do të më dëgjoni, duke shenjtëruar ditën e shtunë: duke mos mbartur pesha dhe duke mos i futur nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë, unë do të ndez një zjarr në portat e tij; ai do të përpijë pallatet e Jeruzalemit dhe nuk do të shuhet".