1"Në atë kohë", thotë Zoti, "unë do të jem Perëndia i të gjitha familjeve të Izraelit, dhe ato do të jenë populli im".
2Kështu thotë Zoti: "Populli që shpëtoi nga shpata ka gjetur hir në shkretëtirë; unë do t'i jap prehje Izraelit".
3Shumë kohë më parë Zoti m'u shfaq duke thënë: "Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.
4Unë do të të rindërtoj dhe ti do të rindërtohesh, o virgjëreshë e Izraelit. Do të zbukurohesh përsëri me dajret e tua dhe do të dalësh në mes të valleve të atyre që bëjnë festë.
5Do të mbjellësh përsëri vreshta mbi malet e Samarias; mbjellësit do të mbjellin dhe do të vjelin frytin e tyre.
6Do të vijë dita kur rojet do të bërtasin në malin Efraim: "Çohuni, të ngjitemi në Sion, tek Zoti, Perëndia ynë"".
7Sepse kështu thotë Zoti: "Ngrini këngë gëzimi për Jakobin dhe lëshoni britma për të parin e kombeve; shpallni, këndoni lëvdata dhe thoni: O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti nga Izraeli.
8Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës. Midis tyre është i verbëri dhe çalamani, gruaja me barrë dhe bashkë me të ajo që ka për të pjellë: një turmë e madhe do të kthehet këtu.
9Do të vinë duke qarë, do t'i çoj duke u lutur. Do t'i bëj të ecin gjatë rrjedhave ujore, nëpër një rrugë të drejtë në të cilën nuk do të pengohen, sepse jam një atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im.
10O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij.
11Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai.
12Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më.
13Atëherë virgjëresha do të gëzohet në valle dhe të rinjtë bashkë me pleqtë, sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t'i ngushëlloj dhe do t'i gëzoj mbas dhembjes së tyre.
14Do të ngop shpirtin e priftërinjve me të madhe dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia", thotë Zoti.
15Kështu thotë Zoti: "U dëgjua një zë në Ramah, një vajtim dhe një e qarë e hidhur: Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet për ta, sepse ata nuk janë më".
16Kështu thotë Zoti: "Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet", thotë Zoti; "ata do të kthehen nga vendi i armikut.
17Ka shpresa për pasardhësit e tu", thotë Zoti; "bijtë e tu do të kthehen brenda kufijve të tyre.
18Kam dëgjuar vazhdimisht Efraimin të ankohet: "Ti më ke dënuar dhe unë jam dënuar si një dem i ri i panënshtruar; më bëj të kthehem dhe unë do të kthehem, sepse ti je Zoti, Perëndia im.
19Mbasi mora rrugë të keqe, u pendova; mbasi e pranova gjendjen time, kam rrahur ijën time. Më erdhi turp dhe ndjeva hutim, sepse mbaj turpin e rinisë sime".
20A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të", thotë Zoti.
21"Ngreh për vete disa trungje, bëj disa shtylla treguese, ki shumë kujdes për rrugën, për udhën që ke ndjekur. Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit, kthehu në këto qytete të tua.
22Deri kur do të shkosh duke u endur, o bijë rebele? Sepse Zoti krijon një gjë të re mbi tokë: gruan që kërkon ta bëjë për vete burrin".
23Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Do të thuhet ende kjo fjalë në vendin e Judës dhe në qytetet e veta, kur t'i kem kthyer ata nga robëria: "Zoti të bekoftë, o seli e drejtësisë, o mal i shenjtërisë!".
24Aty do të banojnë Juda dhe të gjitha qytetet e tij bashkë, bujqit dhe ata që drejtojnë kopetë.
25Sepse unë do të ngij shpirtin e lodhur dhe do të plotësoj çdo shpirt që vuan".
26Pas kësaj unë u zgjova dhe vështrova, dhe gjumi im qe i ëmbël.
27"Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të mbjell shtëpinë e Izraelit dhe shtëpinë e Judës me farë njerëzish dhe me farë kafshësh.
28Dhe do të ndodhë që ashtu si jam kujdesur për ta për të çrrënjosur, për të shembur dhe për të rrëzuar, për të shkatërruar dhe për të bërë të keqen, po ashtu do të kujdesem për ta për të ndërtuar dhe për të mbjellë", thotë Zoti.
29"Në ato ditë nuk do të thuhet më: "Etërit kanë ngrënë rrush të papjekur dhe dhëmbët e bijve mbetën të mpirë".
30Por secili do të vdesë për paudhësinë e tij; kushdo që ha rrush të papjekur do t'i mpihen majat e dhëmbëve.
31Ja do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës;
32jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t'i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre", thotë Zoti.
33"Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.
34Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!", sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi", thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".
35Kështu thotë Zoti, që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës, që e larton detin dhe i bën dallgët të uturijnë, emri i të cilit është Zoti, i ushtrive.
36"Në qoftë se këto ligje do të binin përpara meje", thotë Zoti, "atëherë edhe pasardhësit e Izraelit do të pushonin së qeni një komb përpara meje përjetë".
37Kështu thotë Zoti: "Në qoftë se do të mund të mateshin qiejt lart; ose të hulumtoheshin themelet e tokës poshtë, atëherë edhe unë do t'i hidhja poshtë të gjithë pasardhësit e Izraelit për të gjitha ato që kanë bërë, thotë Zoti.
38Ja, do të vijnë ditët, thotë Zoti, në të cilat ky qytet do të rindërtohet për Zotin nga kulla e Hananeelit te porta e Qoshes.
39Që andej litari për matje do të shtrihet akoma drejt deri te kodra e Garebit, duke u kthyer pastaj drejt Goahut;
40Gjithë lugina e kufomave dhe e hirit dhe të gjitha arat deri te përroi i Kidronit, deri te qoshja e portës së Kuajve në drejtim të lindjes, do t'i shenjtërohen Zotit. Nuk do të shkatërrohet më kurrë dhe as nuk do të shembet përjetë".